14/12/2025
MANIFESTI I NJË POPULLI QË PO VRET VETEN!!
Ka një “mallkim” që vret më shumë se plumbi.
Nuk bën zhurmë, nuk lë gjak në asfalt, por të shuan ngadalë.
Është ai “mallkim” kur për të njëjtën gjë nuk mund jesh dhe i hidhëruar dhe i gëzuar njëkohësisht.
Kur e di që po shkatërrohesh, por prapë hesht.
Kur e sheh grabitjen, por e justifikon.
Kur e ndjen poshtërimin, por e gëlltit.
Këtë “mallkim” nuk na e kanë bërë të huajt.
Ia kemi bërë vetes.
Sepse ne, shqiptarët, kemi zgjedhur për tre dekada rresht hajdutët, mashtruesit, sharlatanët dhe të paaftët.
I kemi ditur kush janë.
I kemi parë çfarë bëjnë.
I kemi përjetuar pasojat.
Dhe prapë… i kemi votuar, i kemi mbrojtur, i kemi duartrokitur.
Pastaj kemi pasur paturpësinë të ankohemi.
Ne nuk jemi popull i varfër.
Ne jemi popull i varfëruar me dashje.
Ne nuk jemi të nënshtruar me forcë.
Ne jemi të nënshtruar nga frika, interesi dhe servilizmi.
Në Shqipëri nuk mbijeton më i zoti.
Mbijeton ai që lëpihet më mirë.
Ai që ul kokën.
Ai që shet dinjitetin për një vend pune.
Ai që hesht për një tender.
Ai që mbyll sytë për një favor.
Kjo nuk është demokraci.
Kjo është skllavëri moderne.
Jemi bërë popull kafenesh dhe statuse.
Analistë divanesh.
Revolucionarë tastierash.
Trimë vetëm në Facebook.
Ndërsa në rrugë… zero nerv, zero guxim, zero reagim.
Popujt vitalë dalin në shesh.
Popujt me nerv e rrëzojnë pushtetin.
Ndërsa ne tallim ata që protestojnë.
I quajmë “të sh*tur”, “të çmendur”, “problematikë”.
Sikur ne jetojmë në parajsë.
Jo.
Ne jetojmë në një vend të grabitur, të shpopulluar, të rrjepur deri në kockë.
Por kemi zgjedhur të sillemi si skllevër që mbrojnë zotërinjtë e tyre.
Politika e tre dekadave nuk ka ideologji.
Ka pazare.
PS dhe PD nuk janë armiq — janë ortakë.
Ndahen në publik, bashkohen në prapaskenë.
Ndajnë pushtetin, drejtësinë, pasuritë, tenderët, lejet e ndërtimit, ligjet.
Deputetët nuk përfaqësojnë popullin.
Janë kartonë që ngrihen me komandë.
Administrata nuk i shërben qytetarit.
I shërben kryeministrit.
Drejtësia nuk është e verbër.
Është e lidhur me zinxhir.
Dhe ne prapë pyesim:
“Pse nuk ka drejtësi?”
Sepse ne e lejojmë padrejtësinë.
Na vjedhin pasuritë kombëtare.
Na shkatërrojnë industrinë.
Na vrasin bujqësinë.
Eksportojmë lëndë të para, importojmë varfëri.
Nxjerrim naftën, blejmë karburantin më shtrenjtë në Europë.
Një grusht jeton në luks.
Shumica në mbijetesë.
Të rinjtë ikin.
Pleqtë vdesin në mjerim.
Familjet shpërbëhen.
Kombi tretet.
Dhe ne…
heshtim.
Mos u gënjeni më.
Nuk ka shpresë nga kjo politikë.
Nuk ka shpëtim nga këta emra.
Nuk ka drejtësi nga hajdutët.
Nuk ka ndryshim nga ata që e kanë ndërtuar këtë mjerim.
Ndryshimi vjen vetëm nga reagimi masiv popullor.
Jo nga dhuna.
Por nga presioni.
Nga sheshi.
Nga refuzimi.
Nga mosbindja qytetare.
Nëse sot nuk reagojmë,
nesër nuk kemi të drejtë të qajmë.
Sepse do të jemi bashkëfajtorë.
“kjo gjendje nuk kërkon elegancë, kërkon të vërtetën në fytyrë”
Ky nuk është status.
Kjo është akuzë.
Kjo është pasqyrë.
Dhe nëse të dhemb kur e lexon,
është sepse e vërteta nuk përkëdhel — godet.
Koha e justifikimeve ka mbaruar.
Koha e frikës duhet të mbarojë.
O zgjohemi si popull,
o zhdukemi si komb.
Zgjedhja nuk është e politikanëve.
Është e jona.
13 XII 2025