10/07/2026
Të njohim anëtarët e Akademisë së të Rinjve pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
Akademia e të Rinjve është një njësi në përbërje të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e njohur me ligj, e cila përbëhet nga kërkuesit e rinj më të shquar në fusha të ndryshme të shkencës. Misioni i saj është të promovojë ekselencën në kërkimin shkencor, të mbështesë zhvillimin e brezit të ri të studiuesve dhe të forcojë bashkëpunimin shkencor në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Akademia e të Rinjve e Shqipërisë është anëtare e Global Young Academy.
Dr. Olta Qejvani është lektore e së Drejtës Europiane në Universitetin ‘Aleksandër Moisiu’ Durrës, Fakulteti i Shkencave Politike Juridike, Departamenti i Drejtësisë që prej vitit 2016 në Shqipëri. Ajo ka përfunduar studimet e doktoratës (PhD) në Shkenca Administrative në Shkollën Kombëtare të Studimeve Politike dhe Administrative (SNSPA), në Bukuresht, Rumani.
Kërkimi i saj shkencor është fokusuar në nismat vendore dhe rajonale në Bashkimin Evropian, si dhe në qasjen ndaj referendumeve vendore në Shqipëri. Dr. Qejvani ka qenë studiuese (PhD Research Fellow) në Fakultetin e Shkencave Sociale, Institutin e Studimeve Politike të Universitetit Charles në Pragë. Ajo është diplomuar me rezultate të shkëlqyera në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Tiranës.
Me mbi dhjetë vite përvojë profesionale, Dr. Qejvani ka kontribuar në tre fusha kryesore: shoqërinë civile, akademinë dhe administratën publike. Përvoja e saj në Kryeministri ka forcuar ekspertizën në hartimin dhe përmirësimin e politikave publike dhe legjislacionit të administratës publike, me fokus të veçantë në menaxhimin e shërbimit civil. Njëkohësisht, ajo është eksperte e angazhuar në organizatat e shoqërisë civile në Shqipëri, duke kontribuar në projekte që lidhen me të drejtat e qytetarëve përballë institucioneve, të drejtat dhe pjesëmarrjen e të rinjve, integrimin evropian, si dhe forcimin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë.
Dr. Qejvani është gjithashtu një studiuese me përvojë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Ajo është autore e një sërë artikujsh shkencorë dhe analizash në fushat e qeverisjes së mirë, administratës publike dhe procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ajo ka përfaqësuar Shqipërinë në Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës në Strasburg, ku projekti i saj "Different Local Communities, Same Youth Perspective" u vlerësua si një nga nismat më të mira për promovimin e pjesëmarrjes së të rinjve në nivel vendor.
Profili profesional i Dr. Qejvanit karakterizohet nga qasje inovative, orientim drejt zgjidhjeve efektive dhe aftësi të spikatura për të punuar si në mënyrë të pavarur, ashtu edhe në ekipe multidisiplinare.
Kompetencat e saj kryesore përfshijnë: të folurin në publik, hartimin e dokumenteve strategjike, raporteve dhe manualeve, legjislacionin dhe institucionet e Bashkimit Evropian, qeverisjen vendore, nismat qytetare, referendumet, studimet krahasuese, advokimin dhe ndërtimin e rrjeteve profesionale, vendimmarrjen në administratën publike, zhvillimin rajonal, të drejtat e njeriut, pjesëmarrjen e të rinjve në vendimmarrje, kërkimin shkencor, si dhe hartimin, koordinimin dhe menaxhimin e projekteve.
Për më shumë shiko linkun:
https://www.facebook.com/share/1HQqFMUK8R/?mibextid=wwXIfr
www.akad.gov.al