21/11/2014
Trajnim ne kontrollin e cilesis se ushqimit
Updated over a year ago
Cilësisë dhe sigurisë ushqimore duhet t’i kushtohet vëmendje e veçantë, për t’i dhënë një mundësi të re zhvillimit të bujqësisë. Kështu u tha në ceremoninë e shpërndarjes së certifikatave për trajnimin e parë të teknikëve të laboratorit–teknologëve të ushqimit të kompanive private dhe të AUV-it, në laboratorin e kompanisë për prodhimin e produkteve farmaceutike “TreLab” në fshatin Sllatinë.
Përfaqësuesi i USAID-it, Mark Vud, ka thënë se këtu ka ardhur që të organizojë trajnime të nivelit të lartë në mënyrë që disa nga punët që janë kryer dhe kryhen në laboratorin e “TreLab” të bartën në kompanitë përpunuese.
Ai ka thënë se përpunimit të ushqimit duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë.
Edhe ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci, ka thënë se në Kosovë, për këtë fushë veprimtari është Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës, por sipas tij e rëndësishme është edhe bashkëpunimi mes atyre që e bëjnë kontrollin e cilësisë ushqimore dhe investimet që i bënë ministria.
“Një vëmendje e veçantë i kushtohet cilësisë dhe sigurisë ushqimore madje janë kapituj të veçantë të cilat merren me sigurinë dhe cilësinë e ushqimeve. Tek ne ekziston Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës e cila në fushë veprimtarinë e saj ka këto komponente por edhe ne si ministri nëse do të kishim bashkëpunim të mirë dhe një lidhje organike midis atyre që bëjnë kontrollin e cilësisë ushqimore dhe asaj çfarë ne investojmë, fermerët dhe agrobizneset në plantazhet e tyre për të prodhuar produkte të ndryshme ushqimore atë herë do të ishte e kotë”, ka theksuar Stavileci.
Pronari i kompanisë ndërtimore “Tregtia”, në kuadër të së cilës është edhe “TreLab”, Bedri Prishtina, ka thënë se kjo është degë që mund të punësoj një numër të konsiderueshëm të njerëzve dhe është e rëndësishme se me cilësinë dhe sigurinë e ushqimeve Kosova mund t’i shfrytëzoj kapacitetet në bujqësi dhe në industrinë ushqimore.
Ndryshe, në këtë ceremoni janë shpërndarë edhe certifikata për trajnimin e parë të teknikëve të laboratorit të kompanive “Frutomania”, “Ask Food”, “Abi”, “Unioni”, si edhe për gjashtë teknik të Agjencisë së Ushqimit dhe të Veterinës të Kosovës.