31/01/2025
NJOFTIM / REAGIM
Njoftojmë të gjithë banorët e Komunës së Prishtinës se kompania Alko Impex sh.p.k., sot më 31.01.2025, ka përfunduar kontratën mes kompanisë sonë dhe Komunës. Me këtë rast, duam të falënderojmë të gjithë ata që e bënë të mundur realizimin me sukses të këtij projekti, përfshirë:
• Z. Përparim Rama, Kryetar i Komunës,
• Z. Bekim Brestovci, Drejtor i Shërbimeve Publike,
• Stafin menaxhues të kësaj drejtorie, dhe
• Të gjithë punëtorët tanë, të cilët kanë punuar pa asnjë hezitim 24/7 për ofrimin e shërbimit.
Reagim ndaj deklaratave të pavërteta
Kompania jonë, deri më sot, nuk ka reaguar ndaj lajmeve apo dezinformatave të ndryshme që janë shpërndarë në emrin tonë, por tani është e nevojshme ta bëjmë.
Në një intervistë në një televizion privat, një zyrtare e Kompanisë Pastrimi Sh.A. ka dhënë deklarata të pavërteta duke u përpjekur të justifikojë dështimet e kësaj kompanie. Konkretisht, është pretenduar se për shkak të Operatorit Privat ka pasur ngatëresa në orare dhe probleme në organizimin e shërbimeve, gjë që është plotësisht e pavërtetë.
Faktet janë si më poshtë:
Gjatë periudhës 8-mujore të operimit tonë në Prishtinë, kemi pranuar max 30 ankesa reale për rrugët që ishin në përgjegjësinë tonë, dhe ato janë ankesa qe brenda ditës ose maksimalisht brenda 24 orëve ka pas vonesa ne sherbim.
Gjatë të njëjtës periudhë, kemi pranuar mbi 600 ankesa për rrugët që ishin në përgjegjësinë e Kompanisë Pastrimi, të cilat nuk janë adresuar në kohë, dhe kjo mund të vërtetohet përmes raporteve zyrtare ditore.
Plani operativ që kemi zbatuar është ai i përpiluar nga vetë Kompania Pastrimi, prandaj çdo pretendim për “ngatëresa” është i pabazë dhe tregon vetëm mungesën e menaxhimit të tyre të brendshëm.
Një tjetër pretendim i pavërtetë në këtë intervistë lidhet me mungesën e kontenierëve për mbeturina. Duhet të sqarojmë se:
• Operatorët ekonomikë veprojnë sipas planit operativ dhe pikat e vendosjes së kontenierëve janë të përcaktuara nga autoritetet.
• Në zonën e përmendur nga ankuesja, asnjëherë nuk kemi pranuar ndonjë ankesë të tillë gjatë 8 muajve të operimit tonë, dhe kjo mund të vërtetohet me raportet zyrtare të ankesave, po të kishim pranuar kërkes për vendosje të kontinerëve nga banoret ajo do të realizohej brenda 1 ore gjithashtu dhe nëse do të kishte ndonjë ankes të këtij lloji persëri do të zgjidhej brenda 1 ore.
Përpjekjet për krijimin e monopolizimit të tregut
Me keqardhje vërejmë se një asambleist i Komunës së Prishtinës po kërkon ndryshimin e Rregullores për Menaxhimin e Mbeturinave, me qëllim që t’i kalojë të gjitha kompetencat një kompanie të vetme publike të dështuar, duke përjashtuar operatorët privatë dhe duke krijuar një monopol të pastër.
Ky veprim është në kundërshtim me te gjitha ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe shkel parimet e konkurrencës së lirë dhe menaxhimit efiçient të shërbimeve publike.
Nga sot e tutje, shërbimin do ta ofrojë Kompania Pastrimi, dhe shpresojmë që të mos ketë më ankesa, ashtu siç është pretenduar se Operatorët Privatë kanë shkaktuar probleme.
Ne kemi kryer shërbimin tonë me përkushtim dhe transparencë dhe do të mbrojmë gjithmonë të vërtetën dhe parimet e konkurrencës së ndershme.
Me respekt,
Alko Impex sh.p.k.
Prishtinë, 31.01.2025